Banka Kombëtare Tregtare (BKT), një prej institucioneve më të mëdha financiare në vend, akuzohet se është shndërruar në një lavatriçe të pastrimit të parave të pista, duke u vënë në shërbim të organizatave kriminale.
Sipas dosjeve hetimore dhe të dhënave të siguruara nga organet e drejtësisë, BKT është përdorur gjerësisht për të kanalizuar miliona euro të përfituara nga trafiku i drogës, mashtrimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal në sektorin e ndërtimit, energjisë dhe bizneseve të kontrolluara nga krimi i organizuar.
Kjo bankë, nën pronësinë e Ahmet Çalık dhe administrimin e Mehmet Seyhan Pencablıgil, dyshohet se ka ndihmuar në pastrimin e parave të trafikut të drogës përmes dhënies së kredive individëve të lidhur me krimin e organizuar, shkruan Prapaskena, duke i kanalizuar këto fonde në sektorin e ndërtimit apo në investime për ngritjen e bizneseve të reja.
BKT dhe lidhja me figurat e krimit
Në fokus të skandalit është rasti i Suel Çelës, i shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i një prej organizatave më të rrezikshme në Shqipëri. Në korrik 2024, kompania “Çela P shpk.” në emër të babait të tij, Petrit Çela, përfitoi nga Bashkia Elbasan 7 hektarë pyje për ndërtimin e paneleve fotovoltaike. Kjo kompani, që kontrollon edhe tregun agro-ushqimor të Elbasanit, mbështetet financiarisht nga BKT, e cila i ka dhënë kredi të majme për investime, pavarësisht se ligji ndalon përfitimin e tenderave publikë nga persona të lidhur me krimin.
Paratë e pista të Gëzim Sallakut dhe BKT si kanal pastrimi
Në një tjetër rast, autoritetet italiane kanë zbuluar se Gëzim Sallaku, një bos i krimit i dëbuar nga Italia dhe i përfshirë në trafik droge, vjedhje makinash, mashtrime dhe evazion, ka përdorur BKT për të sjellë në Shqipëri para të përfituara nga aktiviteti kriminal në Itali, Zvicër dhe Panama, shkruan Prapaskena. Vetëm në dy ditë të korrikut 2014, ai ka transferuar afro 443 mijë euro përmes BKT, ndërsa paratë janë investuar në pasuri të paluajtshme dhe një kompani energjetike fiktive GSA-SALLAKU.
160 milionë euro kredi vetes – Skemë e dyshimtë financiare
Në një tjetër zhvillim të dyshimtë, BKT i ka dhënë vetes 160 milionë euro kredi për 30 vite, sipas një skeme që drejtohet nga administratori Mehmet Seyhan Pencablıgil, njëkohësisht “Konsull Nderi” i Pakistanit në Shqipëri. Zyrtarisht justifikohet si ristrukturim financiar, por të dhënat tregojnë se BKT ka raportuar fitime të mëdha mbi 100 milionë euro çdo vit, duke ngritur dyshime për një skemë të fshehtë financiare.
Institucionet që heshtin
Sipas burimeve, BKT ka ndikuar në heshtjen e Bankës së Shqipërisë dhe Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, për të shmangur çdo masë ndëshkuese, duke krijuar një rrjet ndikimi dhe heshtjeje që e mbron bankën nga pasojat ligjore.
Ky skandal vendos nën lupë urgjencën për hetime të pavarura dhe transparente ndaj një prej institucioneve më të fuqishme bankare në vend, që nga roli i saj historik deri tek përfshirja në rrjete të dyshimta të pastrimit të parave dhe mbështetjes së krimit të organizuar.