Rruga e Arbrit, e cila ka shkurtuar ndjeshëm distancën mes Dibrës dhe Tiranës, është një zhvillim i rëndësishëm infrastrukturor për zonën. Megjithatë, ky aks rrugor është përballur herë pas here me ankesa nga qytetarët, të cilat lidhen me rrëshqitje dherash e vështirësi në qarkullim, veçanërisht brenda tuneleve për shkak të shpejtësisë se kufizuar dhe trafikut që krijohet.
Së fundmi, një tjetër shqetësim i është shtuar listës së problematikave: prania e kafshëve në rrugë. Një qytetar që po udhëtonte drejt Tiranës ka raportuar se në segmentin pranë fshatit Bastar-Murriz, një gomar është parë duke ecur mes makinave, duke rrezikuar sigurinë rrugore.
Në pamjet e dërguara, kafsha shihet duke lëvizur e pashqetësuar përgjatë kthesave të rrugës, mes automjeteve që lëvizin në të dyja drejtimet. Qytetarët shprehin shqetësimin se hyrja e pakontrolluar e kafshëve në rrugë mund të çojë në aksidente të rënda.
Për të parandaluar situata të tilla, qytetarët sugjerojnë ndërmarrjen e masave për rrethimin dhe izolimin e anëve të rrugës, duke garantuar kështu më shumë siguri për përdoruesit e saj.