Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vazhdon seanca për rastin “Banjska”, ku ka dhënë dëshminë e tij, polici i lënduar gjatë sulmit më 24 shtator, Mirsad Kryeziu.
Polici Kryeziu tregoi në detaje se si e gjetur rreshterin Afrim Bunjaku, të shtrirë në tokë i mbuluar me gjak.
Ai tha se Bunjaku plagën më të madhe e kishte në fyt.
“Kam hipur në kamion e kam hapur derën, në ato momente e kam dëgjuar detonimin dhe kanë filluar gjuajtjen tek ne. Për një moment jam larguar nga kamionët dhe kam shkuar të policët. Gjatë asaj rruge kam vërejtur që nga ai detonim një pjesëtar i yni, Afrim Bunjaku ishte i shtrirë në tokë, i mbuluar me gjak nga detonimet e grupit terrorist. Ai ishte i plagosur në fyt, plagën më të madhe e ka pasur në fyt, dhe kishte gjakderdhje të madhe. I shkova afër, ishte e pamundur të bëja ndaljen e gjakderdhjes apo ta ndihmoja se në drejtim kishte gjuajtje të pareshtur. E kam tërhequr pak, jo shumë dhe kam filluar të gjuaj në drejtim të tyre edhe në brendësi të fshatit edhe në manastir”, ka thënë Kryeziu.
Polici tutje tregoi se si u godit edhe vetë nga plumbat.
“E vërejta që është një tjetër i plagosur, kam tentuar të futem në atë veturë gjatë qëndrimit jam goditur me shumë plumba. Kam dalë nga vetura, jam shkuar te Afrimi që po luftonte për jetën, e kam larguar edhe pak, fillova t’i jap ndihmë, sa herë që afrohesha tek ai, breshëria e plumbave nuk ndalej. Ju thash shokëve, gjuani në drejtim të dritave se pozicioni ynë ishte i disfavorshëm sepse ne ishim në dritë dhe çdo lëvizje e jona ishte e dukshme”.
Gjatë dëshmisë rrëqethëse, Kryeziu tregoi edhe momentin kur kuptoi se Bunjaku kishte vdekur.
“E kam kapur Afrimin, kam tentuar ta fus në veturë, nuk munda për shkak të gjuajtjeve. Kam kërkuar ndihmë nga kolegët afët, e lash armën në tokë, radiolidhjen ja kom shti në veturë edhe jam nisur për Mitrovicë ta dërgoi në spital. Gjatë kthimit, gjuajtësi që më ka përcjellur më ka goditur në rrotën e djathtë edhe për herën e dytë, edhe goma ka qenë jofunksionale. Me të hyrë në spital, mjekët më informuarn se Afrimi tashmë kishte vdekur”, shtoi Kryeziu.