Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e 10 qershorit në Tajlandë, ku një turiste shqiptare, Daniela Idrizi, 41 vjeç, ka humbur jetën pasi u mbyt në plazhin Karon, në rajonin turistik të Phuket-it.
Sipas informacioneve nga Policia e Karonit, shqiptarja dhe bashkëshorti i saj egjiptian, Mohammed Abdulkhaliya Hamdi Alsaba, kishin mbërritur në Phuket vetëm disa orë më parë, rreth orës 14:00, dhe kishin planifikuar të qëndronin deri më 12 qershor.
Rreth orës 16:00, ata kishin hyrë në det për të notuar, por vetëm dhjetë minuta më vonë, bashkëshorti i saj 43 vjeçar, vuri re se Daniela ishte zhdukur në ujë.
Rojet bregdetare dhe shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe pas një ore kërkimesh, e gjetën trupin e saj pa ndjenja. Viktima u transportua në Spitalin Chalong, ku mjekët u përpoqën ta ringjallnin, por fatkeqësisht, ajo ndërroi jetë.
Policia vendase ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare, mbytja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e valëve të forta dhe kushteve të paqëndrueshme në det në atë moment.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm familjarët dhe bashkëshortin e viktimës, i cili ndodhej në spital në gjendje të rënduar emocionale, por edhe komunitetin e turistëve në Phuket, ku autoritetet kanë paralajmëruar për rreziqet në plazh gjatë sezonit të reshjeve.