Një sulm i përgjakshëm ka tronditur qytetin e Grazit në Austri këtë mëngjes, kur një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë lokale, duke lënë pas një bilanc tragjik: 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Ndër viktimat e konfirmuara është edhe Lea Bajrami, 15 vjeçe, me prejardhje nga Vitia e Kosovës. Ajo ishte nxënëse në të njëjtën shkollë ku ndodhi sulmi fatal dhe fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Sipas autoriteteve lokale, nga të shtënat kanë humbur jetën gjithsej 9 nxënës, një mësuese dhe autori i dyshuar i sulmit, i cili sipas raportimeve paraprake, dyshohet të jetë vetëvrarë në banjot e shkollës pas aktit makabër.
Mediat austriake raportojnë se rreth 30 persona të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Sulmuesi, që dyshohet të ketë qenë ish-nxënës i institucionit, ende nuk është identifikuar zyrtarisht nga autoritetet.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik në Austri dhe Kosovë, ndërsa autoritetet janë duke hetuar motivet pas këtij sulmi të rëndë. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e shtetases kosovare dhe është në kontakt me autoritetet austriake për veprimet e mëtejme.