Të paktën tetë persona kanë humbur jetën ditën e sotme gjatë një të shtënë me armë zjarri në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit, kur policia mori një telefonatë për një situatë emergjente në një shkollë të mesme dhe dëgjimin e të shtënave.
Forcat speciale u dislokuan menjëherë në vendngjarje dhe shkolla u evakuua dhe u kontrollua plotësisht nga forcat e sigurisë. Zëdhënësi i policisë, Sabri Yorgun, konfirmoi se operacioni ishte në zhvillim dhe autoritetet po punonin për të sqaruar rrethanat e incidentit.
Mediat austriake kanë raportuar se deri më tani janë 8 viktima, por numri mund të rritet sërish pasi ka edhe disa të plagosur.
Autori i kësaj masakre ende nuk është identifikuar dhe hetimet janë në vazhdim.
Ngjarja ka tronditur qytetin e Grazit, qyteti i dytë më i madh në Austri, me rreth 300,000 banorë. Autoritetet kanë bërë thirrje për qetësi dhe po vazhdojnë hetimet për të zbuluar motivet e sulmit.