Një situatë shqetësuese mjedisore është denoncuar në qytetin e Beratit, konkretisht pranë urës së Velabishtit, e njohur ndryshe edhe si “Ura e Salillarit”. Prej më shumë se një viti, dhjetëra goma makinash të përdorura janë hedhur në shtratin e lumit, një zonë me vlera të veçanta natyrore dhe peizazhore.
Sipas denoncimit të një qytetari, i cili kërkon të mbetet anonim, mbetjet janë lënë aty me shpresën se rrjedha e lumit do t’i zhvendoste, por përkundrazi, ato vazhdojnë të ndotin mjedisin dhe të përbëjnë një rrezik serioz për ujin, florën dhe faunën përreth.
“Ka më shumë se një vit që këto goma janë në lumë. Askush nuk është kujtuar t’i pastrojë, edhe pse situata është e dukshme për këdo që kalon aty pranë”, shprehet qytetari përmes denoncimit të tij.
Pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar, autoritetet vendore dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për pastrimin e zonës.
Qytetarët i bëjnë thirrje bashkisë së Beratit, Inspektoratit të Mjedisit dhe të gjitha strukturave përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë për të pastruar lumin dhe për të parandaluar ndotje të tilla në të ardhmen.