Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në ishullin grek të Parosit, ku një foshnjë pesë muajshe u transportua pa shenja jete në Qendrën Shëndetësore të ishullit të dielën pasdite. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta ringjallur, fatkeqësisht, vogëlushja u shpall e vdekur.
Sipas autoriteteve, rasti po trajtohet si një hetim penal me elementë të rëndë, ndërsa prindërit shqiptarë janë arrestuar dhe po përballen me akuzën e "ekspozimit fatal të një të mituri".
Detajet e ngjarjes mbeten të paqarta dhe të dyshueshme. Prindërit, një çift me origjinë shqiptare që jeton prej vitesh në Paros, kanë dhënë deklarata kontradiktore. Nëna ka deklaruar se foshnja ishte lënë në makinë për të fjetur, ndërsa prindërit ishin në plazh me fëmijët e tjerë. Nga ana tjetër, babai pretendon se e kishin marrë me vete vajzën në det.
Një banor lokal i ka thënë televizionit grek Star se familja kishte shkuar për pushim në plazhin Parasporos me katër fëmijët e tyre dhe se foshnja kishte rënë në gjumë gjatë rrugës, duke lënë të nënkuptohet se mund të jetë lënë në makinë në temperatura të larta.
Skenarët që po hetohen janë të shumtë, përfshirë edhe mundësinë që foshnja të jetë mbajtur në automjet në diell për një kohë të gjatë, ose që të ketë pësuar ndonjë komplikacion tjetër shëndetësor në plazh apo në shtëpi.
Autoritetet kanë marrë në pyetje dëshmitarë dhe po analizojnë të dhënat e mjedisit ku ndodhi ngjarja. Trupi i foshnjës pritet t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes.
Çifti pritet të dalë para Prokurorisë së Syrosit në ditët në vijim, ndërsa rasti ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik grek.