IKMT nis prishjet në Jalë mes sezonit turistik, banorët përplasen me policinë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.06.2025, 19:09

Në prag të sezonit turistik, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka ndërmarrë një aksion për prishjen e disa objekteve në zonën e plazhit të Jalës, në jug të vendit. Inspektorët e IKMT-së, të shoqëruar nga forcat e policisë, kanë hasur rezistencë nga pronarët e disa ndërtimeve që janë në plan për t’u shembur.

Sipas raportimeve, pronarëve u është dhënë afat deri nesër për të larguar pajisjet dhe për të liruar ambientet. Megjithatë, shumë prej tyre kanë refuzuar të zbatojnë urdhrin dhe kanë kundërshtuar ndërhyrjen, duke i bërë të qarta qëndrimet e tyre kundër prishjes së objekteve, sidomos në këtë periudhë të ndjeshme të vitit.

Ndërhyrja e IKMT-së ngre pikëpyetje për kohën e zgjedhur për operacionin, pasi përkon me fillimin e sezonit turistik, kur vendi pret mijëra vizitorë të huaj dhe vendas. Pamjet e prishjeve, përplasjet me banorët dhe tensionet në bregdet japin një imazh të zymtë për një zonë që synon të jetë atraktive për turizëm dhe investime.

Megjithëse ligjërisht mund të ketë bazë për aksionin, zgjedhja për të ndërhyrë pikërisht tani shihet nga disa si e qëllimshme. Kritikët kujtojnë se gjatë vitit zgjedhor, aktiviteti i këtyre objekteve u tolerua – ndoshta për të ruajtur votat dhe qetësinë politike. Sot, pasi qeveria është konfirmuar në pushtet për një mandat të katërt, duket se ka nisur “pastrimi” i vonuar i territorit.

Operacioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa sytë e publikut dhe të turistëve do të mbeten të fiksuar mbi mënyrën se si institucionet e shtetit po menaxhojnë këtë përplasje mes ligjit, interesit publik dhe imazhit të vendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit