Një situatë shqetësuese është vërejtur prej pushuesve në plazhin e Divjakës, ku automjetet po lëvizin pa asnjë kufizim mbi rërën e bregut të detit. Zona që duhet të jetë e sigurt për fëmijët dhe familjet, është kthyer në një rrugë të rrezikshme për shkak të mjeteve që kalojnë shumë pranë pushuesve.
Pamjet e siguruara nga qytetarë në vendngjarje tregojnë automjete që qarkullojnë shumë afër vijës bregdetare, ku fëmijët luajnë dhe njerëzit pushojnë. Ky fenomen jo vetëm që cenon sigurinë publike, por përbën edhe një shkelje të rëndë të normave që duhet të rregullojnë përdorimin e hapësirave publike në zonat turistike.
Një qytetar i indinjuar ka dërguar këtë thirrje publike:
"Prshndetje doja te beja nje thirrje per plazhin e Divjakes qe njerzit qarkullojn me makina ne breg ku ka edhe fmi te vegjel."
Prania e makinave në bregdet është një rrezik i drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e pushuesve, veçanërisht të fëmijëve të vegjël që janë më të pambrojtur.
Bashkia e Divjakës dhe Policia Bashkiake duhet të reagojnë menjëherë, duke vendosur ndalim të qartë të qarkullimit të automjeteve në zonën e rërës dhe duke siguruar patrullime të rregullta për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate.
Plazhi duhet të jetë një vend i sigurt për pushim, jo një pistë për makina.