Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën pasdite, ku një foshnjë 5-muajshe ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. Nëna e foshnjës është paraqitur në një qendër shëndetësore me foshnjën pa shenja jete, e mavijosur dhe pa frymëmarrje. Mjekët nuk kanë mundur ta shpëtojnë, duke konstatuar vdekjen e saj në spital.
Pas ngjarjes, prindërit e fëmijës, një grua 37-vjeçare dhe një burrë 43-vjeçar, janë arrestuar dhe ndodhen aktualisht në paraburgim në stacionin policor të Parosit. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe kanë ngritur një çështje penale për të zbuluar nëse ka pasur neglizhencë apo dhunë.
Sipas informacioneve paraprake, familja kishte shkuar herët në mëngjes në det bashkë me tre fëmijët e tjerë, për t’u kthyer në shtëpi rreth mesditës. Më vonë gjatë pasdites, foshnja është raportuar e vdekur, duke ngritur pikëpyetje mbi ngjarjet e ndodhura gjatë ditës.
Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa një nga pistat që po hetohet është edhe goditja nga nxehtësia, duke qenë se foshnja mund të jetë ekspozuar për një kohë të gjatë në temperatura të larta. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj humbjeje tragjike.