Sot për të 29-n herë me radhë ka dështuar konstituuimi i Kuvendit të Kosovës. Partitë opozitare dhe kësaj radhe kanë kundërshtuar votimin e fshehtë. Asnjëra nga partitë nuk lëviz nga qëndrimet e tyre, në Kuvendin e Kosovës dhe 4 muaj pas zgjedhjeve, vazhdon të përsëritet situata e njëjtë.
Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.
“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Caktimi i kësaj date, sipas Presidencës, synon që të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera relevante, “me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”.