Një ndotje e rëndë mjedisore është regjistruar në lumin Erzen. Banorët raportojnë se rrjedha e lumit është kthyer në një masë të dendur llumi teksa ngjyra e kaltër është zëvendësuar me ngjyrën gri të errët.
Mungesa e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse ka lejuar që situata të përkeqësohet dita-ditës. Banorët thonë se kjo është një ndër ndotjet më alarmante të viteve të fundit. Dëmet ekologjike mund të jenë të parikuperueshme nëse nuk merren masa urgjente.
Shkaktarët e ndotjes dyshohet të jenë hedhjet e paautorizuara të mbetjeve nga subjekte private dhe mungesa e impianteve për përpunimin e ujërave të ndotura. Banorët e zonës i bëjnë thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar katastrofën ekologjike dhe për të identifikuar përgjegjësit ligjërisht.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që lumi të mos trajtohet më si një kanal plehrash, por si një pasuri natyrore që meriton të mbrohet. Pa veprime konkrete, Erzeni rrezikon të humbasë përfundimisht rolin e tij si një arterie natyrore për ekosistemin lokal.