Një rast mashtrimi ka ndodhur ditën e djeshme, më 8 qershor 2025, rreth orës 15:21 në një zyrë këmbimi valutor pranë zonës së Pazarit të Ri, Tiranë.
Sipas denoncimit të bërë nga punonjësja e sportelit, një burrë është paraqitur për të thyer shumën prej 3,400 euro, të cilat u konvertuan në lekë në prerje 5,000 lekëshe. Pas përfundimit të procesit të këmbimit, makina nuk i pranoi eurot, ndaj punonjësja i kërkoi klientit të kthente shumën në lekë për të anuluar transaksionin.
Në momentin e kthimit të shumës, burri dyshohet se ka fshehur në mënyrë të qëllimshme 90,000 lekë, të cilat i fut në xhep pa u vënë re nga punonjësja që po verifikonte pjesën tjetër të kartëmonedhave. Pasi i merr përsëri eurot, largohen me vrap nga vendngjarja.
E gjithë skena është regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe pamjet tregojnë qartë momentin kur ai palos një pjesë të lekëve dhe i fut në xhep, duke kryer mashtrimin.
Zyra e këmbimit ka bërë apel për ndihmë nga qytetarët për identifikimin e personit në fjalë, përpara se të ndërmerren masa ligjore. Videot dhe fotot janë në dispozicion dhe do të dorëzohen edhe në organet përkatëse të rendit.