“Kemi mbi 6 orë të bllokuar në trafik te Rana e Hedhun, nuk lëviz asnjë makinë”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.06.2025, 22:48

Një tjetër qytetar ka denoncuar në JOQ Albania situatën e rënduar të trafikut në zonën e Ranës së Hedhun në Lezhë, ku sipas tij automjetet janë të bllokuara prej më shumë se 6 orësh dhe nuk ka asnjë lëvizje.

“Jemi këtu mbi 6 orë presim në trafik. Nuk dihet arsyeja pse e kanë bllokuar. Vargu i makinave është nga Rana e Hedhun deri në qendër të Shëngjinit”, shprehet denoncuesi.

Siç shihet edhe në videon e dërguar nga qytetari, rruga është e mbushur me dhjetëra automjete të bllokuara. Pamjet tregojnë situatën e rënduar në një zonë që gjatë fundjavave frekuentohet masivisht nga pushues.

Qytetarët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, pasi pritja e gjatë në temperatura të larta po kthehet në stres dhe lodhje për drejtuesit dhe pasagjerët.

Denoncimi nga Rana e Hedhun është vetëm një nga rastet që pasqyrojnë kaosin e trafikut në zonat veriore ditën e sotme. Më herët, qytetarë të tjerë raportuan bllokime disa orëshe nga Shkodra në hyrje të Lezhës, e më pas drejt Milotit e Kukësit, ku automjetet qëndronin në radhë për orë të tëra pa lëvizur.

Pamjet dhe mesazhet e ardhura nga qytetarët tregojnë një situatë alarmante, ndërsa mungesa e reagimit nga autoritetet vetëm sa e përkeqëson zemërimin dhe lodhjen e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit