SHBA paralajmëron Ukrainën: Rusia gati të hakmerret, priten sulme të fuqishme ditët në vijim

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.06.2025, 20:52

Sipas zyrtarëve amerikanë, Rusia ende nuk ka ndërmarrë përgjigjen e saj të plotë ndaj sulmit me dronë të Ukrainës fundjavën e kaluar dhe pritet që në ditët në vijim të ndërmarrë një goditje të madhe dhe të shumëanshme.

Një nga zyrtarët u shpreh se Moska pritet të reagojë me një sulm "asimetrik", që nuk do të pasqyrojë mënyrën e sulmit ukrainas. Ndërkohë, një tjetër zyrtar shtoi se Rusia ka gjasa të përdorë kapacitete të ndryshme ajrore, përfshirë raketa dhe dronë.

Edhe pse Rusia lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh ndaj Kievit të premten, SHBA beson se kjo ishte vetëm një pjesë e reagimit dhe pjesa më e rëndë pritet të vijë. Diplomatë perëndimorë spekulojnë se objektiva të mundshëm janë ndërtesa qeveritare apo seli të shërbimeve sekrete të Ukrainës.

Eksperti i çështjeve ruse, Michael Kofman, thotë se Moska mund të hakmerret duke goditur selinë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) apo qendra prodhimi të mbrojtjes. Sipas tij, megjithatë, Rusia ka kufizime për të rritur më tej intensitetin e sulmeve, pasi ka konsumuar shumë nga kapacitetet e saj ushtarake gjatë muajve të fundit.

Nga ana tjetër, sulmi ukrainas, i quajtur “Rrjeta e Merimangës”, përfshiu 117 dronë të lëshuar nga brenda territorit rus dhe goditi rreth 20 avionë luftarakë, sipas vlerësimeve amerikane, prej të cilëve rreth 10 janë shkatërruar plotësisht. Moska zyrtare mohon humbjen e avionëve, por blogerët ushtarakë rusë raportojnë dëme serioze në të paktën një duzinë avionësh.

Presidenti Donald Trump, i cili tha se kishte folur në telefon me Putinin, tregoi se i kishte kërkuar atij të mos hakmerrej, por sipas tij, “nuk do të jetë e bukur” ajo që pritet të ndodhë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit