Fshatit Lenë i komunës së Martaneshit po i bëhet masakër mjedisore. Një banor nga ky fshat, ka ngritur shqetësimin për ndotjen serioze të mjedisit të shkaktuar nga një fabrikë përpunimi kromi në zonë. Sipas denoncuesit, i cili ka dërguar edhe video për të treguar realitetin, fabrika hedh inertet në lumin që kalon pranë fshatit, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në ekosistem që paraqet një rrezik real për banorët e fshatit Lenë të Martaneshit.
Qytetari shkruan se bimësia përreth është dëmtuar ndjeshëm, ndërsa bagëtitë refuzojnë të pinë ujin e ndotur. Banori shprehet se ndotja po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe e padurueshme. Mungesa e kontrollit dhe ndërhyrjes nga institucionet përkatëse ka përkeqësuar situatën. Kjo shkel të drejtat mjedisore të komunitetit, dhe ndikon negativisht në bujqësinë dhe blegtorinë vendase, që janë burimi kryesor i të ardhurave dhe jetesës për banorët.
"Pershendetje jam nje banor nga fshati Lene Martanesh. Eshte nje fabrik perpunimi kromi qe i hedh inertet ne lum. Jan prishur bimet edhe bagetia nuk e pin dot ujin se esht i ndotur", shkruan qytetari për JOQ Albania.
Banorët e fshatit Lenë të Komunës së Martaneshit, i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse, Inspektoratit të Mjedisit, pushtetit lokal, policisë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Ministrisë së Mjedisit, të ndërhyjnë menjëherë për të vendosur para përgjegjësisë pronarin e fabrikës së përpunimit të kromit, i cili po shkakton një dëm mjedisor dhe rrezik për banorët. Kërkohet që lumi të pastrohet, ndotja të monitorohet dhe të garantohet që praktika të tilla të mos përsëriten.