Një lajm i mirë ka mbërritur pas muajsh lutjesh, vuajtjesh dhe përpjekjesh të pafund.
Luisi, vogëlushi 3-vjeçar që preku zemrat e mijëra shqiptarëve me historinë e tij të dhimbshme, është shëruar plotësisht nga tumori në kokë. Familja e tij ka konfirmuar se pas trajtimit në Itali, sëmundja është zhdukur pa lënë asnjë gjurmë dhe ai sot gëzon shëndet të plotë.
Për afro një vit, prindërit e Luisit, Ervini dhe Kristina, jetuan në dhimbje dhe pasiguri pranë QSUT-së, ndërsa i biri i tyre përballej me një diagnozë të rëndë. Mungesa e mundësive financiare i la të pashpresë, deri kur iu drejtuan Fondacionit Firdeus dhe Elvis Naçit për ndihmë. Apeli i tyre u dëgjua dhe brenda vetëm 24 orëve, u mblodhën fondet për trajtimin urgjent jashtë vendit.
Falë zemërgjerësisë së shqiptarëve dhe ndërhyrjes së menjëhershme të fondacionit, Luis u nis drejt Italisë ku mori trajtimin e nevojshëm. Sot, 8 muaj më vonë, ai është një fëmijë i shëndetshëm që buzëqesh sërish, duke përfaqësuar një nga historitë më prekëse dhe më të suksesshme të fuqisë së solidaritetit.
Kjo është një fitore jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë ata që besuan dhe ndihmuan.