Media britanike The Times i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, duke vënë në fokus kontrastin mes plazheve gjithnjë e më të populluara të Rivierës Shqiptare dhe thellësive të vendit, ku gjenden fshatra të qetë, lumenj të egër dhe përvoja të pazakonta. Shqipëria është vizituar nga pothuajse 12 milionë turistë në vitin që shkoi, shumë prej të cilëve u tërhoqën nga pushimet e përballueshme në bregdet. Por agjencia “Undiscovered Balkans” ofron një alternativë më të qetë dhe aventureske përmes tureve të organizuara në jug të vendit.
Gazetarja Laura Sanders mori pjesë në një tur shtatëditor në maj, që përfshinte qytete bregdetare, vende të UNESCO-s, ujëvara të fshehura dhe rafting në lumenj të egër. Ajo përshkruan eksperiencën e saj në Qeparo, ku qëndroi në një bujtinë familjare mes fshatit të vjetër në kodër dhe atij të ri buzë detit, duke shijuar mikpritjen dhe ushqimin vendas. Plazhet ishin të qeta dhe natyra e paprekur.
Udhëtimi vijoi në Gjirokastër, qytet me arkitekturë osmane dhe histori të pasur. Vizitorët u mahnitën nga kalaja shekullore dhe pazari tradicional, ndërsa kujtohej edhe historia e diktatorit Enver Hoxha që ka lindur aty. Më pas, grupi u nis drejt Zagorisë përmes shtigjeve malore, ku ndaluan në fshatin Hoshtevë dhe vizituan një kishë të shekullit XII me afreske të rralla.
Një tjetër ndalesë mbresëlënëse ishte në luginën e Vjosës, ku qëndruan në një shtëpi 120-vjeçare e restauruar nga familja Cullufe. Përmes rrëfimeve mbi jetën para dhe pas rënies së komunizmit, vizitorët përjetuan lidhjen me historinë dhe trashëgiminë shqiptare. Peizazhi i lumit të egër dhe shtëpia e kthyer në monument kulture dhanë një ndjesi autentike të vendit.
Eksplorimi përfundoi në fshatin Lin, buzë Liqenit të Ohrit, një pasuri natyrore e mbrojtur nga UNESCO. Grupi ushtroi aktivitete si kajak dhe biçikletë në plazhet e izoluara me guralecë dhe zonën përreth liqenit. Udhëtimi u mbyll në Pogradec, një qytet me atmosferë të gjallë, që ofron ndjesi nostalgjike dhe pushime të thjeshta por të këndshme.
Në tërësi, artikulli përshkruan Shqipërinë si një destinacion që kombinon aventura në natyrë, mikpritje tradicionale dhe trashëgimi të pasur kulturore, duke e paraqitur si një alternativë tërheqëse për turistët që kërkojnë përvoja të veçanta dhe autentike në Ballkan.