Ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë është mbyllur në barazim pa gola, 0-0, në një përballje ku kuqezinjtë dhanë gjithçka në fushë, por fati u kthye kundër tyre në momentet vendimtare.
Shqipëria ishte më kërkuese gjatë gjithë lojës, duke ndërtuar aksione të rrezikshme dhe duke krijuar disa raste të pastra për shënim. Megjithatë, mungesa e saktësisë në finalizim dhe një portier kundërshtar në formë të lartë, bënë që rrjeta serbe të mbetej e paprekur.
Rasti më i mirë për kuqezinjtë erdhi në fundin e pjesës së parë, kur pas një aksioni të bukur, u akordua një penallti për Shqipërinë. Rei Manaj mori përsipër goditjen, por tentativa e tij u ndal nga portieri, duke humbur mundësinë ideale për të kaluar në avantazh.
Pjesa e dytë vijoi me të njëjtin ritëm, me Shqipërinë që shtyu përpara dhe Serbinë në pritje e kundërsulm. Pavarësisht përpjekjeve, rezultati nuk ndryshoi deri në fishkëllimën përfundimtare.
Një pikë që mund të vlejë, por me shumë keqardhje për rastet e humbura. Shqipëria tregoi karakter, zemër dhe dëshirë për fitore, tani vëmendja kthehet te ndeshja e radhës.