Autobusi i kombëtares serbe të futbollit ka mbërritur pasditen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, përpara ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Shqipërisë. Mbërritja e skuadrës është shoqëruar me masa të shtuara sigurie dhe një prani të dukshme të forcave të policisë përgjatë gjithë itinerarit.
Ndërsa autobusi kalonte pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, një incident është shënuar kur një tifoz i mitur e goditi atë nga pas me një shishe uji. Reagimi i menjëhershëm i forcave të rendit bëri që situata të mos përshkallëzohej, ndërsa tifozët e tjerë vazhduan të ndjekin autobusin me brohoritje dhe vërshëllima.
Skuadra serbe është pritur me armiqësi verbale nga pjesa më e madhe e tifozëve të pranishëm, që kanë shoqëruar mbërritjen e tyre me vërshëllima dhe këngë fyese, duke reflektuar tensionin e lartë që shoqëron këtë përballje sportive.
Ndeshja Shqipëri–Serbi do të luhet sonte në orën 20:45 dhe konsiderohet si një nga sfidat më të ndjeshme dhe të rëndësishme të grupit K, jo vetëm për pikët, por edhe për historinë e ngarkuar mes dy vendeve.