Shkatërrohet pedonalja e Tropojës, shkak tubacionet pa cilësi e Ujësjellës Kanalizimeve

Shkruar nga: S H | Publikuar më: 07.06.2025, 16:55

Një denoncim i ardhur pranë redaksisë sonë tregon me pamje për një situatë shqetësuese në qytetin e Tropojës, ku pedonalja është dëmtuar rëndë si pasojë e ndërhyrjeve të vazhdueshme për sistemin e ujësjellësit. Sipas qytetarëve, tubacionet që janë vendosur gjatë projektit janë të një cilësie shumë të ulët, duke sjellë çarje dhe rrjedhje thuajse çdo javë. Si pasojë, punëtorët detyrohen të hapin rrugën herë pas here, duke dëmtuar infrastrukturën dhe duke e kthyer pedonalen në një kantier të përhershëm dhe në një gjendje që lë për të dëshiruar.

Në mesazhin e mbërritur në redaksinë tonë, qytetari shprehet i zhgënjyer për mënyrën si janë kryer punimet. Në këto kushte kërkohet përgjegjësi nga autoritetet vendore. Investimi që duhej të sillte përmirësim të jetës në këtë zonë është shndërruar në një burim stresi e pakënaqësie për banorët dhe bizneset në zonë. Nuk është vetëm kjo, sepse përveç dëmtimit të pedonales, krijohen edhe probleme me qarkullimin, pluhuri, zhurmat dhe pamundësia për të shfrytëzuar siç duhet hapësirat publike.

"Pershendetje joq! E kane shkaterruar pedonalen ne tropoje duke e hapur 100 her per ujin, se prishen tubat cdo jave sepse jane blere cilesia me e keqe e tubave", shkruan qytetari për redaksinë e JOQ Albania.

Në këtë rast, thirrja e vetme është për Bashkinë Tropojë me kryetar Rexh Byberi dhe institucionet përkatëse që të marrin masa urgjente për të zgjidhur përfundimisht këtë problem. Nuk duhet asgjë më shumë por vetëm një verifikim i standardeve të punimeve, zëvendësimi i tubacioneve me materiale cilësore dhe mbikëqyrje serioze e punimeve që të garantohet një zgjidhje afatgjatë për qytetarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit