Teksa pritet përballja mes Shqipërisë dhe Serbisë, çmimet e biletave kanë marrë vëmendjen më të madhe. Nga 400-1000€ për biletë në treg të zi, vlera stratosferike për të parë në stadium ndeshjen më të shumëpritur për kuqezinjtë ka kapur majat.
Për ta krahasuar me ndeshjen historike të 14 tetorit 2014, të luajtur në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Artan Hoxha ka publikuar biletën e tij të ruajtur nga ajo përballje, duke ofruar një pasqyrë interesante për çmimet simbolike të biletave në atë kohë.
“Kjo është bileta ime për ndeshjen historike të 14 tetorit 2014, në stadiumin ‘Partizani’ të Beogradit. Isha në të njëjtën zonë, që ishte dhe presidenti serb përkarshi. Zonë vip, tip llozhe private me vetëm 3 sedilje,” shkruan ai.
Sipas tij, bileta më e shtrenjtë në atë ndeshje kushtonte vetëm 1000 dinarë, rreth 8500 lekë të vjetra, apo më pak se 9 euro. Çmimet në tribunat e tjera ishin edhe më të ulëta: 7 euro në tribunën qëndrore dhe vetëm 3 euro pas portës.
“‘Budallenj’ të mëdhenj ata sërbët, nuk dinin të fitonin nga çmimi i biletave në një stadium 32 mijë vendësh… Ama stadiumi ishte rrafsh, me çmime njëlloj për fukarenjtë dhe të pasurit, për tifozët ultras dhe fansat e Instagramit që hyjnë në stadium vetëm për foto…,” vijon postimi me ironi.
Krahasuar me çmimet aktuale në stadiumet shqiptare, kontrasti është i ndjeshëm. “Kur e mendoj, ne në ndeshjen me Andorrën e kishim biletën në karshi 100 euro??!!! Kemi ecur përpara mor vëlla, nuk krahasohen dot me ne, serbët😜”.
Postimi ka ngjallur reagime të shumta online, teksa tifozët kujtojnë me nostalgji atmosferën e asaj ndeshjeje të tensionuar që u ndërpre mes incidentesh, por që mbetet një prej sfidave më të diskutueshme në historinë e futbollit shqiptar.