Nëse kontrollon WhatsApp-in e partnerit në Itali, rrezikon 10 vite burg!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.06.2025, 21:46

Nëse e keni kontrolluar ndonjëherë WhatsApp-in e partnerit/es për xhelozi apo thjesht nga kureshtja, ky veprim tani mund të ketë pasoja të rënda ligjore në Itali. Gjykata e Lartë italiane ka vendosur që hyrja pa autorizim në aplikacione të mbrojtura si WhatsApp përbën vepër penale dhe dënohet me burg deri në 10 vite.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të një rasti konkret, ku një burrë gjatë procesit të divorcit kishte hyrë në telefonin e ish-bashkëshortes dhe kishte marrë screenshot-e të bisedave në WhatsApp për t’i përdorur si prova në gjyq. Sipas gjykatës, ai kishte shkelur privatësinë dhe kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në një sistem informatik të mbrojtur me fjalëkalim.

Gjykata theksoi se WhatsApp konsiderohet ligjërisht si një sistem informatik, pasi funksionon nëpërmjet rrjeteve kompjuterike dhe ruan të dhënat në mënyrë të sigurt. Kjo do të thotë se hyrja në të, pa leje të qartë dhe specifike, përbën shkelje të rëndë të privatësisë.

Madje, edhe në rastet kur pajisja është në dispozicionin tuaj përkohësisht, apo edhe nëse keni fjalëkalimin, çdo përdorim që tejkalon autorizimin fillestar konsiderohet i paligjshëm.

Kodi Penal italian e klasifikon këtë shkelje si hyrje të paautorizuar në një sistem të mbrojtur, me pasoja penale që mund të arrijnë deri në 10 vite burgim. Ligji është një paralajmërim i qartë për të gjithë ata që cenojnë hapësirën personale dhe digjitale të të tjerëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit