Një operacion i madh i Policisë së Shtetit italian i ka dhënë fund trafikut të drogës mes Gargano, Bat dhe rajone të tjera italiane.
11 persona, mes tyre një 48-vjeçar shqiptar, i dyshuar si kreu i grupit, kanë rënë në pranga gjatë një operacioni nga policia italiane. Mediat në vendin fqinj shkruajnë se një grup kriminal që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Gargano në rajonin e Pulias në Italinë jugore dhe në rajonet të tjera është shkatërruar ndërsa grupi në fjalë kishte në përbërje kryesisht italianë dhe drejtohej nga shqiptari Elidon Buxheli.
Shqiptari dyshohet se ka promovuar, organizuar dhe drejtuar aktivitetin e paligjshëm së bashku me dy italianë, Di Nauta dhe Cursio. Në dosjen prej 100 faqesh zbulohet se droga shpërndahej në Gargano edhe jashtë rajonit, me udhëtime nga Lesina drejt San Benedetto del Tronto, ku në një episode janë dorëzuar 13 kilogramë hashash. Sasi të papërcaktuara kokaine dyshohet se janë transportuar nga Lesina në Cerignola nga vetë Buxheli, i cili shërbente gjithashtu si furnizues i hashashit dhe kokainës për Cursio, Sacco, Folla dhe Di Nauta.