Një konflikt mes fqinjësh për shkak të një qeni të zhurmshëm ka përfunduar me plagosjen e dy personave në fshatin Gosë të Rrogozhinës.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të premteje, rreth orës 10:15, dhe ka tronditur komunitetin lokal.
Sipas Policisë së Shtetit autori i dyshuar, Shpëtim Osmani, ka qëlluar me armë zjarri drejt fqinjëve të tij, Sami dhe Nadire Disha, duke i plagosur. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i konfliktit ka qenë qeni i çiftit Disha, i cili sipas Osmanit krijonte shqetësime të vazhdueshme me lehjet e tij. Mes palëve kishte pasur përplasje të herëpashershme gjatë ditëve të fundit, që kulmuan me dhunë të armatosur.
Pas ngjarjes, Osmani është vetëdorëzuar në polici dhe ndodhet në ambientet e komisariatit, ku po merret në pyetje.