Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në Burrel, në zonën e njohur si “Ish-Agjensia”. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke lënë të plagosur gjashtë persona.
Sipas policisë, të lënduar kanë mbetur dy drejtuesit e mjeteve, përkatësisht A.L., 38 vjeç, dhe L.K., 36 vjeç, si dhe katër pasagjerë që ndodheshin në automjetet e përfshira në aksident. Ndër të plagosurit është edhe një fëmijë vetëm 8 vjeç.
Të lënduarit janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit, ndërsa dy prej tyre, për shkak të gjendjes së rëndë, janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, të cilat ende mbeten të paqarta.