Giovanni Brusca, një nga bosët më të tmerrshëm të mafias italiane, është tani njeri i lirë pas 25 vitesh burg dhe 4 vitesh provë. Ai është i njohur për faktin se aktivizoi shpërthimin që vrau gjyqtarin antimafia Giovanni Falcone në vitin 1992, së bashku me gruan e tij dhe tre truprojat. Brusca u arrestua në vitin 1996 dhe pranoi se kishte vrarë mbi 100 persona.
Ndër krimet më makabre që kreu, ishte rrëmbimi dhe vrasja e 11-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, djali i një të penduari të drejtësisë, i cili u mbyt dhe u tret në acid për t’i mbyllur gojën babait të tij.
Brusca, i njohur me nofkën “derrkuci”, do të jetojë tani me një identitet të rremë jashtë Siçilisë dhe mbetet pjesë e programit të mbrojtjes së dëshmitarëve, pasi bashkëpunoi me drejtësinë duke zbuluar sekrete që ndihmuan shtetin të godiste fort kupolën mafioze të viteve ’80 dhe ’90.
Reagimet ndaj lirimit të tij kanë qenë të ashpra. Ish-prokurori kombëtar antimafia, Pietro Grasso, shprehu indinjatën e tij, por theksoi se ligji që lejoi lirimin e Brusca-s ishte iniciativë e vetë Falcone-s, pasi bashkëpunimi me drejtësinë ishte çelësi për shkatërrimin e mafias.
Grasso shtoi: “Me Brusca-n, shteti fitoi tre herë: kur e arrestoi, kur e bindi të bashkëpunojë, dhe tani që është një shembull për mafiozët e tjerë. Por nëse ai kryen qoftë edhe një krim të vetëm, nuk do të ketë asnjë tolerim.”
Në vitin 1989, Falcone dhe prokurorja zvicerane Carla Del Ponte i shpëtuan për pak një atentati me eksploziv në plazhin pranë vilës së Falcone në Palermo. Del Ponte dëshmoi më vonë në gjyq se kishte refuzuar ftesën për të shkuar atë ditë në plazh, duke i shpëtuar rastësisht atentatit.
Lirimi përfundimtar i Brusca-s rikthen vëmendjen mbi një nga figurat më të errëta të mafias italiane dhe ngre pyetje të forta mbi drejtësinë, ligjin dhe respektin ndaj viktimave.