Tmerr në ajër/ Disa të plagosur nga turbulencat e forta në Gjermani, piloti bën ulje emergjente

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.06.2025, 19:18

Të paktën 9 persona, përfshirë një foshnjë 2-vjeçare dhe një anëtare të ekuipazhi, janë lënduar në një fluturim të Ryanair që u detyrua të bënte ulje emergjente në Gjermani për shkak të turbulencave të forta nga moti i keq.

Avioni, që po udhëtonte nga Berlini drejt Milanos me 179 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, u përball me turbulenca të dhunshme të mërkurën në mbrëmje, duke detyruar pilotin të devijonte dhe të bënte ulje në aeroportin Memmingen, afër Mynihut.

Sipas policisë bavareze, një fëmijë 2-vjeçar pësoi mavijosje dhe një grua mori dëmtime në kokë. Tre persona u dërguan në spital, ndërsa të tjerët morën ndihmë në vendngjarje.

Autoritetet gjermane nuk lejuan vazhdimin e fluturimit, ndaj Ryanair organizoi transport alternativ me autobusë për në Milano dhe një fluturim zëvendësues të nesërmen në mëngjes.

Ngjarja ndodhi në një kohë kur moti i keq ka shkaktuar kaos edhe në zona të tjera të Gjermanisë jugore. Në qytetin Ulm, erërat e forta rrëzuan çatitë e disa shtëpive, ndërsa pati raportime për pemë të rrëzuara dhe bodrume të përmbytura.

Ekspertët paralajmërojnë se turbulencat janë më të zakonshme gjatë muajve të nxehtë, dhe udhëtarët këshillohen të qëndrojnë të ulur dhe të lidhur kur ndizet sinjali i rripit të sigurimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit