Besimtarët myslimanë në mbarë vendin festojnë sot Kurban Bajramin, një nga dy festat më të mëdha dhe më të rëndësishme të kalendarit islam.
Në kryeqytet, mijëra qytetarë u mblodhën herët në mëngjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Ceremonia nisi në orën 05:45, në një atmosferë përkushtimi, lutjesh dhe solidariteti shpirtëror.
Kurban Bajrami përkujton devotshmërinë dhe sakrificën e Profetit Ibrahim, i cili, i bindur ndaj vullnetit të Zotit, ishte gati të flijonte të birin, Ismailin. Por në momentin vendimtar, Zoti zëvendësoi djalin me një dash, duke e shpërblyer besimin dhe bindjen e tij të plotë. Kjo ngjarje është simboli themelor i sakrificës dhe përkushtimit pa kushte ndaj së mirës dhe drejtësisë hyjnore.
Dita e Kurban Bajramit shënon gjithashtu edhe fillimin e aktit të therjes së kurbanit, një ritual që besimtarët e kryejnë pas faljes së mëngjesit, si një formë afërsie me Zotin dhe ndarje me të varfrit.
Në shumë vende, festimet zgjasin deri në katër ditë, duke u shoqëruar me vizita familjare, ndihmë për të pamundurit dhe lutje për paqe e mëshirë.
Zoti ua pranoftë faljet dhe kurbanin të gjithë besimtarëve myslimanë!
Gëzuar Kurban Bajramin!
Me respekt,
JOQ Albania 🕊