Të lodhur nga pritja dhe premtimet boshe, banorët e fshatit Kasape në Shkodër kanë ndërmarrë një nismë private për të rregulluar rrugën e tyre. Pasi kërkesat e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga bashkia e drejtuar nga Benet Beci, ata kanë vendosur të veprojnë vetë.
Nga kursimet e tyre modeste, banorët kanë arritur të porosisin disa makina me zhavorr dhe një eskavator, me të cilat kanë filluar të mbushin gropat dhe të nivelizojnë rrugën. Iniciativa është ndërmarrë krejtësisht në mënyrë vullnetare, ndërsa vetë banorët janë angazhuar fizikisht në punë për të përmirësuar infrastrukturën që u mungon prej vitesh.
“Prsh jeta o qef. Jena do banor te fshatit Kasape Shkoder dhe po shtrojm ni rrug privatish. Nuk merr as ni mas bashkia dhe jemi te dytyrum te shtrijm vet,” shkruajnë ata në një mesazh shoqëruar me pamje nga puna në terren.
Ky nuk është rasti i parë kur komunitetet ndërhyjnë vetë për të zgjidhur probleme që duhej të ishin adresuar nga pushteti vendor. Por me sa duket, mbase Beneti dhe kolegët e tij janë të zënë duke shqyrtuar dokumentat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në vitin 2030, teksa qytetarët bëjnë punën e tyre me lopata.