Në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale nga presidentja e vendit, disa subjekte politike kanë nisur tashmë garën për kryeqytetin, duke zyrtarizuar kandidatët e tyre për kryetar të Prishtinës.
Lidhja Demokratike e Kosovës synon ta ruajë udhëheqjen e kryeqytetit për një mandat të dytë me kryetarin aktual, Përparim Rama.
Në këtë garë do të jetë edhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kandidaturën e të cilit e konfirmoi të enjten kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ndërkohë, edhe Partia Socialdemokrate ka hyrë zyrtarisht në garë me Besa Shahinin si kandidate për kryetare të Prishtinës.
Subjektet e tjera politike ende nuk kanë bërë publike emrat e kandidatëve të tyre, por nga LVV janë përmendur si emra të mundshëm Glauk Konjufca, Arben Vitia e Mefail Bajqinovci. Ndërsa PDK me Uranin Ismailin.
Datë e mundshme për zgjedhjet lokale 2025 është përmendur 12 tetori.
Kush janë kundër kandidatët e Përparim Ramës?
Bekë Berisha – AAK
Bekë Berisha, një politikan i njohur nga Kosova, lindi më 14 gusht 1978 në fshatin Staradran të Istogut. Ai është avokat dhe ka një karrierë të gjallë në politikë. Bekë Berisha ka shërbyer në Kuvendin e Kosovës që nga viti 2017 si anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Një fakt i veçantë për të është dashuria e tij për sportet dhe notimin në ujërat e ftohta.
Berisha ka siguruar ulësen e deputetit edhe në zgjedhjet që u mbajtën në shkurt.
Besa Shahini – PSD
Besa Shahini arsimin fillor e mori në Prishtinë. Pasi emigroi në vitin 1999 në Kanada, vazhdoi studimet International Baccalaureate në UWC Pearson College dhe BA në Shkencat Politike në Universitetin e York-ut në Toronto, Kanada.
Besa Shahini ka qenë Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë në Shqipëri. Ajo ka qenë prej kohësh një analiste e pavarur e politikave për arsimin dhe për çështjet e edukimit në Kosovë si dhe zëvendësministre e arsimit në Shqipëri.
Besa Shahini është analiste dhe hulumtuese e çështjeve të integrimit evropian dhe politikave arsimore. Ka punuar në projekte të shoqërisë civile në Kosovës dhe për organizatë të ndryshme ndërkombëtare që kanë për fokus përmirësimin e cilësisë në arsim dhe integrimet evropiane.
Kush qeverisi me Komunën e Prishtinës nga viti 2010?
Isa Mustafa (LDK) Kryetar nga viti 2007 deri në fund të vitit 2013. Mustafa ishte larguar nga posti i kryetarit, pasi ishte bërë kryeministër i Kosovës.
Shpend Ahmeti Kryetar nga dhjetori 2013 deri në dhjetor 2021. Fillimisht ishte pjesë e Vetëvendosjes, më vonë kaloi në Partinë Socialdemokrate (PSD). Ahmeti qeverisi me Prishtinën për dy mandate radhazi.
Përparim Rama (LDK) është kryetar i Prishtinës që nga viti 2021. Fitoi zgjedhjet ndaj kandidatit të Vetëvendosjes, Arben Vitia.