Mbrëmjen e djeshme në Uzinën e Ferrokromit “Albchrome” në zonën industriale të Paprit, u regjistrua një aksident i rëndë. Një mekanik i uzinës, Rudin Meçja, mbeti i plagosur rëndë gjatë një ndërhyrjeje teknike. Ngjarja ka çuar në ndalimin e tre personave të përfshirë në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë në punë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:15, në repartin e copëtimit të ferrokromit. Në momentin e aksidentit, Meçja ishte duke punuar poshtë pllakës së pajisjes së copëtimit, e cila, sipas të dhënave paraprake, u shkëput dhe e goditi rëndë në shpatull dhe shtyllën kurrizore.
Në procesin e punës ishin të pranishëm edhe inxhinieri i procesit Rexhep Xhardja, brigadieri mekanik Myslym Hoxha dhe inxhinieri mekanik Fatjon Ikonomi. Aksidenti ndodhi gjatë një ndërhyrjeje të zakonshme për ndërrimin e pllakave të copëtimit, një operacion teknik periodik në uzinë.