Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë, konkretisht në rrugën “Sterio Spase”, ku një djalë i ri është parë duke kryer veprime të pazakonta. Ai ka hequr rripin e pantallonave dhe ka filluar të godasë dy makina të parkuara, duke bërë lëvizje të çuditshme dhe duke bërtitur.
Skena është filmuar nga një i huaj që jeton në Tiranë, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e djalit. Në video, ai shihet i ulur mes dy makinave, teksa i godet me rripin e tij. Sipas qytetarit që bëri raportimin, djali mund të jetë i sëmurë, me nevoja të veçanta, apo i humbur dhe larg familjes.
Për këtë arsye, ai u bën thirrje familjarëve dhe institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme për të.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
"Pershëndetje, si jeni? Shpresoj të jeni mirë. Mendoj se djali është i sëmurë ose ka nevoja të veçanta. Mendoj se është i humbur ose larg shtëpisë. Është në Porcelan, Kodra e Priftit, rruga Sterio Spase. Faleminderit për përpjekjet tuaja, jam shumë i trishtuar për të dhe shpresoj se do të marrë vëmendjen e duhur."