Më 7 qershor 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Serbisë. Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash të detajuar që përfshin sigurinë e ekipeve, kontrollet brenda dhe jashtë stadiumit, si dhe ruajtjen e rendit publik në gjithë kryeqytetin para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Janë vendosur kufizime të qarkullimit në disa rrugë kryesore pranë stadiumit që nga ora 15:00 e ditës së ndeshjes, ndërkohë që janë caktuar edhe hapësirat e parkimit për tifozët që vijnë nga qytete të ndryshme. Policia ka organizuar kontrolle të rrepta në hyrje të stadiumit për të ndaluar futjen e sendeve të ndaluara dhe për të shmangur çdo veprim që mund të prishë sigurinë e aktivitetit.
Në bashkëpunim me institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, përfshirë UEFA-n, Federatën Shqiptare të Futbollit, shërbimet mjekësore, zjarrfikëset dhe shoqëritë e sigurisë, janë marrë masa për të parandaluar incidentet dhe për të garantuar ndërhyrje të shpejtë në çdo situatë emergjente. Po ashtu, do të përdoren pajisje anti-dronë për të shmangur çdo tentativë të paligjshme në ajër mbi stadium.
Policia apelon qytetarët që të respektojnë rregullat, të mos dublikojnë biletat dhe të shmangin sjelljet e dhunshme, pasi Kodi Penal parashikon masa ndëshkuese për veprime të tilla. Tifozët këshillohen të paraqiten në hyrje që në orën 18:00 për të shmangur vonesat. Synimi kryesor i këtyre masave është zhvillimi i një ndeshjeje të sigurt dhe pa incidente, në respekt të sportit dhe imazhit të Shqipërisë.
2000 forca policie do të jenë të angazhuara për garantimin e rendit, përfshirë njësinë RENEA, FNSH, Antiterrorin dhe SHISH. Siguria më e madhe do të jetë mbi përfaqësuesen serbe që do të shoqërohet me forca të shumta policore dhe me masa të rrepta sigurie nga momenti i mbërritjes në Tiranë deri në largim pas përfundimit të ndeshjes. Antiterrori do të ketë rolin kyç. Ne mbeshtetje te tyre po ashtu do te jete reparti special RENEA qe do te shoqerojë ekipin serb.