Dy ditë pa ujë në Gjirin e Lalëzit: Turistët largohen, bizneset në kolaps

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.06.2025, 11:37

Një situatë alarmante po zhvillohet prej dy ditësh në Gjirin e Lalëzit, një nga zonat më të frekuentuara turistike në bregdetin shqiptar. Mungesa totale e furnizimit me ujë të pijshëm ka paralizuar aktivitetin e shumë bizneseve dhe ka detyruar turistët e huaj të largohen të zhgënjyer, pasi kushtet janë bërë të papërballueshme.

Një qytetar, i cili jep shtëpi me qira ditore për turistët ka raportuar problemet me ujin e pijshëm, ndërkohë që nga Ujësjellësi Durrës nuk ka asnjë reagim zyrtar apo njoftim për publikun.

“Kemi dy ditë pa asnjë pikë ujë. Kemi një grup turistësh që kanë ardhur për pushime dhe tani po largohen të mërzitur. Na kanë dëmtuar rëndë biznesin. Kërkuam informacion nga Ujësjellësi i Durrësit, por nuk marrim asnjë përgjigje.”

Përkundër faktit që Gjiri i Lalëzit promovohet si destinacion elitar turistik, ndërprerja e ujit, pa paralajmërim apo njoftim, është një dështim i pastër institucional që rrezikon jo vetëm sezonin turistik, por edhe besimin tek Shqipëria si destinacion pushimesh.

Bizneset dhe banorët e zonës kërkojnë nga Ujësjellësi Durrës dhe autoritetet lokale një shpjegim zyrtar, si dhe ndërhyrje urgjente për të rikthyer furnizimin me ujë. Në të kundërt, pasojat ekonomike dhe imazhi i vendit do të dëmtohen edhe më thellë.

Denoncimi i qytetarit:

Pershendetje! Tek Gjiri i Lalezit kemi dy dite pa uje dhe asnje pergjigje nga Ujesjellesi Durres. Na shkaterruan biznesin pasi kemi nje grup turistesh e po largohen te merzitur. Ju faleminderit nese e postoni!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit