Liqeni i Komanit mbulohet nga mbeturinat: Turp kombëtar në sytë e turistëve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.06.2025, 10:00

Një qytetar ka denoncuar një situatë alarmante nga një prej destinacioneve më të bukura të turizmit natyror në Shqipëri: liqeni i Komanit dhe zona përreth lumit të Shalës, një itinerar që çdo vit frekuentohet nga mijëra turistë vendas dhe të huaj.

Sipas denoncuesit, gjatë një udhëtimi me traget drejt Valbonës, uji i liqenit ishte i mbuluar nga mbeturina plastike, kryesisht shishe dhe mbetje urbane. Ajo që duhej të ishte një përvojë magjike, u kthye në një tronditje vizuale dhe emocionale për turistët që e panë ndotjen nga afër.

“Pamja ishte e tmerrshme. Ujë i mbushur me shishe plastike, qese dhe mbeturina. Turistët në traget ishin të shokuar. Komentonin me zhgënjim. Shqipëria ka natyrë të mrekullueshme, por kështu e shkatërrojmë me duart tona”, – shkruan qytetari.

Ai shton se për shumë nga turistët, kjo ishte përshtypja e parë dhe e fundit për vendin tonë, duke e cilësuar ndotjen si një njollë e madhe në imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Qytetari thotë se se një vend si Shqipëria, që ka potencial të jashtëzakonshëm për turizëm natyror, nuk mund të lejojë që thesaret e saj të shndërrohen në kosh mbeturinash. Sipas tij ky nuk është vetëm problem estetik, por një krizë që prek imazhin e Shqipërisë dhe vetë të ardhmen e turizmit ekologjik.

Ai kërkon ndërhyrje urgjente nga Ministria e Turizmit, Ministria e Mjedisit dhe pushteti vendor, që të vendosen struktura të pastrimit dhe monitorimit, por edhe të nisë një fushatë sensibilizuese reale për ruajtjen e natyrës.

Denoncimi i qytetarit:

Përshëndetje, po ju drejtohem për të sjellë vëmendjen ndaj një çështjeje që meriton ndërgjegjësim publik. Ndërsa udhëtoja nga lumi Shala dhe lumi Koman për në Valbonë, u trondita kur pashë liqenin e mbuluar me mbeturina plastike. Ajo që duhet të ishte një nga pikat kryesore të bukurisë natyrore të Shqipërisë, në vend të kësaj është dëmtuar nga ndotja – pikërisht në sytë e shumë turistëve që udhëtonin me traget.

Gjatë udhëtimit me traget, turistët dhe shqiptarët u trishtuan thellësisht kur panë liqenin të ndotur rëndë me mbeturina plastike. Është veçanërisht zhgënjyese duke pasur parasysh sa e bukur është Shqipëria si vend – dhe sa potencial ka për të shkëlqyer si një destinacion kryesor turistik. Shumë nga turistët në bord shprehën zhgënjimin e tyre për gjendjen e liqenit. Është për të ardhur keq që një vend kaq mahnitës natyror po lihet në hije nga ndotja, e cila jo vetëm që ndikon në mjedis, por edhe në imazhin e Shqipërisë për vizitorët.

Shpresoj sinqerisht që të merren masa për të adresuar këtë çështje. Dyshoj se jam i pari, as i fundit, që ngre këtë shqetësim. Mbrojtja e këtyre thesareve natyrore duhet të jetë një përparësi – për hir të ekosistemit lokal dhe rritjes së vazhdueshme të turizmit. Faleminderit për vëmendjen tuaj. Shpresoj që kjo të ndahet për të rritur ndërgjegjësimin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit