Një qytetar nga Durrësi ka denoncuar për JOQ atë që e quan një skemë të pastër mashtrimi elektoral nga autoritetet vendore.
Sipas tij, kompleksi dhe ambientet rekreative pranë Ecoparkut në Porto Romano ishin të hapura dhe pa pagesë për qytetarët deri në mesin e muajit maj. Por vetëm pak javë pas përfundimit të zgjedhjeve, gjithçka ka ndryshuar.
“Dhe avazi fillon sërish në Durrës! Të gjitha komplekset te Ecoparku janë me pagesë, dhe kjo ndodhi sapo kaluan zgjedhjet. Nga janari thuhet se ka qenë vendim i këshillit bashkiak, por çuditërisht nga mesi i muajit mars e deri në maj, kanë qenë të hapura. Thjesht një fushatë mashtruese”, – shkruan qytetari.
Ai tregon gjithashtu se tani bileta lëshohet në mënyrë zyrtare pasi pretendohet se të ardhurat shkojnë për bashkinë, por ngre dyshime për kohën e zbatimit të tarifës, duke e konsideruar atë një veprim elektoral.
“Është e qartë që i mbajtën të hapura për votat, e tani që mbaroi fushata, po i kthejnë në burim fitimi”, përfundon ai.
Qytetarët kërkojnë transparentë dhe llogaridhënie për vendime të tilla që ndikojnë në aksesin e lirë në hapësirat publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për parqe dhe ambiente që kanë qenë të frekuentuara nga familje, fëmijë dhe vizitorë.