Një raportim tronditës ka mbërritur sonte në redaksinë e JOQ Albania nga një grua 70-vjeçare, e cila pretendon se është përballur me sjellje të papërshtatshme, verbale dhe fizike, nga një punonjës i autobusit të linjës së Porcelanit, me targë 455 F, teksa po kthehej në shtëpi.
Sipas dëshmisë së zonjës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00. E moshuara, pensioniste, pohon se punonjësi, një i ri rreth moshës 25-vjeçare, i ka kërkuar paratë e biletës pavarësisht se ajo u identifikua si grua në moshë. “Jam pensioniste,” ka thënë ajo, duke shpjeguar se e kishte harruar abonenë në shtëpi.
“O bir, nuk e kam abonenë, a mund të tregoj kartën e identitetit për të parë moshën, apo kartën e pensionit?” – ka pyetur me mirësjellje.
Sipas saj, punonjësi është përgjigjur: “Jo, unë njoh vetëm abonenë, prandaj dua lekët. Me kë tallesh ti?”
Zonja pretendon se, teksa po nxirrte portofolin për të paguar, punonjësi e ka shtyrë, duke e bërë të rrëzohet dhe të përplaset me kokë pranë kabinës së shoferit, në prani të pasagjerëve të tjerë. “Më shumë se dhimbja, më erdhi turp nga qytetarët që ishin në autobuz,” ka rrëfyer ajo, duke kërkuar me ngulm që identiteti i saj të mos bëhet publik për shkak të ndjenjës së poshtërimit dhe shqetësimit se fëmijët apo të njohurit mund ta mësojnë.
Një vajzë e re, sipas rrëfimit, ka ndërhyrë menjëherë, e ka ndihmuar zonjën të ngrihet dhe i është drejtuar punonjësit me fjalët: “A s’të vjen turp ty që sillesh kështu? Po a ke nënë në shtëpi ti?” Ajo ka kërkuar emrin dhe bexhin e identifikimit, por punonjësi thuhet se ka refuzuar, duke thënë: “Nuk dua.”
Vajza, siç raportohet, ka vazhduar: “Unë tani do kërkoj policinë që të vijë dhe të shikojë se sa qytetarë janë në autobuz dhe sa bileta ke dhënë ti. Gjysmën e autobuzit i ke vjedhur lekët!”
Punonjësi, sipas pretendimit, është përgjigjur: “Po më lumtë, se kam për të pyetur ty.” Vajza e ka quajtur atë “rrugac” dhe ka shtuar se sjellja ndaj një pensionisteje për një biletë është e papranueshme.
Disa pasagjerë të tjerë thuhet se kanë shprehur pakënaqësi për sjelljen e raportuar të punonjësit. Zonja ka zbritur në stacionin e saj dhe nuk di si ka vijuar situata. Vajza e re e ka pyetur: “A je mirë, apo do të zbres dhe të shoqëroj?” – dhe e moshuara e ka falënderuar para se të largohej.
JOQ Albania u bën thirrje autoriteteve të hetojnë këtë pretendim, të sqarojnë rrethanat e ngjarjes dhe të sigurojnë që shërbimet publike të ofrohen me respekt dhe dinjitet, veçanërisht ndaj të moshuarve. Një shoqëri e drejtë nuk mund të tolerojë sjellje që cenojnë mirëqenien dhe nderin e qytetarëve. Ne mbetemi të përkushtuar për të raportuar mbi çështje të tilla dhe i ftojmë lexuesit të ndajnë informacione shtesë, nëse ka, për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës.
Shënim: Fotoja e përdorur në artikull nuk ka lidhje me ngjarjen e raportuar, por është vendosur për qëllime ilustruese.