Një qytetar ka ngritur një denoncim shqetësues lidhur me gjendjen e mbrojtëseve anësore në Urën e Babrroit, mbi Unazën e Madhe të Tiranës.
Sipas tij, këto blloqe betoni nuk janë të fiksuara në strukturën e urës, por janë të vendosura thjesht si formalitet dhe në rast aksidenti mund të shkëputen lehtësisht.
“Nuk janë të lidhura me urën, janë thjesht copa betoni të vendosura mbi asfalt. Nëse ndonjë makinë humbet kontrollin dhe përplaset, ka rrezik që ato blloqe të rrëshqasin ose të bien nga ura dhe të përfundojnë poshtë, në Unazën e Madhe. Mund të ndodhë ndonjë kasaphanë e vërtetë!”, – paralajmëron qytetari.
Ky është një rrezik i hapur për jetën, si për drejtuesit e mjeteve që kalojnë mbi urë, ashtu edhe për ata që lëvizin poshtë saj. Në mungesë të standardeve të sigurisë dhe mirëmbajtjes së duhur, çdo moment mund të shndërrohet në tragjedi.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për infrastrukturën rrugore, për të fiksuar mbrojtëset dhe për të garantuar sigurinë në një prej akseve më të rëndësishme të Tiranës.