Një ngjarje tragjike ka ndodhur në shtetin e Uashingtonit, ku një baba akuzohet për vrasjen e tre vajzave të tij të mitura. Autoritetet amerikane janë vënë në kërkim të 32-vjeçarit Travis Decker, i cili dyshohet për vrasje dhe rrëmbim pas zhdukjes dhe më pas gjetjes së trupave të pajetë të vajzave të tij: Paityn, 9 vjeç, Evelyn, 8 vjeç dhe Olivia, 5 vjeç. Nëna e fëmijëve, Whitney Decker, raportoi në polici se Travis nuk i kishte kthyer vajzat pas një vizite të planifikuar gjatë fundjavës.
Ajo tha se deri më tani nuk kishte pasur probleme me marrëveshjet e vizitave dhe se marrëdhëniet me ish-bashkëshortin kishin qenë të qeta në këtë aspekt. Çifti kishte qenë i martuar për shtatë vjet dhe ishin divorcuar prej disa kohësh. Gjatë fundjavës, policia nisi një kërkim intensiv për babain dhe vajzat, ndërsa u bë me dije se Travis jetonte në një kamionetë të bardhë GMC Sierra të vitit 2017.
Kamioni u gjet i braktisur pranë një kampingu të hënën dhe ngjalli dyshime të mëdha mes autoriteteve. Gjatë kontrollit të zonës, oficerët zbuluan trupat e pajetë të tre vajzave, duke konfirmuar frikën më të keqe. Ndërkohë, Travis Decker mbetet në arrati dhe policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me çdo informacion që mund të çojë në kapjen e tij. Rasti ka tronditur opinionin publik dhe autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.