Ditën e djeshme, JOQ ALBANIA denoncoi sjelljen skandaloze të stafit të spitalit të Traumës dhe vonesave të pajustifikueshme që u shkakton qytetarëve.
Këta të fundit edhe pse të pajisur me rekomandime nga doktorët dhe me orare për vizita e ndërhyrje, nuk u lejuan të futen brenda ambienteve të spitalit, duke pritur me orë të tëra në radhë dhe diell.
“Të thonë hajde në orën 08:00, e kur shkon aty, të mbyllin derën në fytyrë. S’u intereson fare, thjesht të thonë: kemi njerëz për ndërhyrje”, u shprehën qytetarët.
Por ky denoncim i bërë publik, duket se ka shqetësuar drejtoreshën e këtij institucioni, e cila as ditën e sotme nuk i ka lejuar pacientët të futen brenda. Ata kanë treguar se drejtoresha e acaruar ka dhënë urdhër që askush mos të futet brenda ambienteve të spitalit, edhe pse qytetarët, shumë prej tyre të ardhur nga rrethet, kishin oraret e caktuara për sot.
“Na thanë se kishte urdhër nga drejtoresha që të mos hynte askush. Edhe pse kishim letra zyrtare dhe ishim në orarin që na kishin caktuar vetë mjekët. Stafi ishte i acaruar dhe nuk pranonin asnjë shpjegim. Mjerë ne për spitalet që kemi”, – shprehet e revoltuar pacientja.
Ajo madje ka treguar se një qytetar humbi edhe ndjenjat gjatë përplasjes me rojet e sigurisë dhe pritjes në radhë që prej orës 7 të mëngjesit.
Duhet thënë se kjo nuk është hera e parë që shqiptarët përballen me stres, paqartësi dhe përçmim në institucionet që qytetarin duhet ta kenë primar dhe shërbimin ndaj tij sa më efektiv.