Daily Mail: Mafia shqiptare dominon tregun e kokainës në të gjithë Britaninë, përveç Liverpool-it

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.06.2025, 23:25

Tabloidi britanik Daily Mail ka publikuar një artikull ku flet për dominimin e mafias shqiptare në tregun e kokainës në Britaninë e Madhe, duke theksuar se shqiptarët kanë marrë kontrollin pothuajse të plotë të këtij tregu që vlerësohet në 5 miliardë paund në vit.

Sipas hetimit, shqiptarët kanë krijuar lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës Latine, duke e shmangur kështu çdo ndërmjetës, dhe furnizojnë tregun britanik me kokainë me cilësi më të lartë dhe çmime më të ulëta se rivalët. Kjo u ka dhënë atyre një avantazh të jashtëzakonshëm dhe ka bërë që të marrin kontrollin në shumë qytete të Britanisë.

Daily Mail shkruan se mafia shqiptare njihet për dhunë ekstreme dhe për ekzekutime ndaj atyre që nuk paguajnë borxhet, ndërsa autoritetet e vendit janë në alarm për shkak të fuqisë në rritje të këtyre grupeve.

Në artikull përmendet edhe emri i Dritan Rexhepit, i njohur si një nga kokat kryesore të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, i cili është arrestuar dhe ekstraduar në Shqipëri pas një arratie shumëvjeçare.

Britania është mbushur me ferma kanabisi të drejtuara nga shqiptarët, ndërsa autoritetet kanë zbuluar disa prej tyre me vlera miliona paund. Vetëm një operacion i fundit kishte një sasi kanabisi me vlerë mbi 21 milion paund.

I vetmi qytet ku shqiptarët nuk kanë arritur të hyjnë plotësisht është Liverpooli, ku grupet lokale kriminale mbrojnë territorin e tyre me fanatizëm. Në mesazhe të siguruara nga policia përmes rrjetit të enkriptuar EncroChat, kriminelët vendas paralajmëronin shqiptarët të mos afroheshin, me mesazhe si: “Ky qytet është i imi. Nëse tenton të futesh, ke për të vdekur.”

Autoritetet britanike shprehen të shqetësuara për fuqizimin e vazhdueshëm të mafias shqiptare dhe ndikimin e saj në tregun e drogës në të gjithë vendin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit