“Zhduket” plazhi publik në Golem: Pensionistët po i përzëjnë, hotelet zaptojnë çdo pëllëmbë rëre me bekimin e qeverisë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.06.2025, 22:29

Një denoncim alarmant ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku një banore e Golemit ngre shqetësimin për zaptimin dhe zhdukjen e një hapësire publike, e cila deri verën e kaluar shërbente si vend i lirë për qytetarët për të bërë plazh, sidomos për pensionistët. Sipas denoncimit, këtë vit hapësira në fjalë u është dhënë me VKM dy subjekteve private, duke i lënë banorët pa asnjë cep rëre për të vendosur një çadër.

Bëhet fjalë për një zonë të vogël në plazhin e Malit të Robit, e cila deri dje ishte "shpëtimi" i të moshuarve, të cilët nuk përballojnë dot shezllonet me çmime të larta dhe mezi paguajnë ilaçet. “Cila është e drejta jonë si banorë të Golemit që paguajmë taksa dhe nuk kemi më asnjë centimetër rërë ku të shkojmë?”, pyet qytetarja në denoncimin e saj.

Ajo tregon se së bashku me banorë të tjerë kanë shkuar në bashkinë e Kavajës për të kërkuar sqarime, por zyrtarët lokalë i kanë thënë se vendimi është marrë nga Ministria e Turizmit me Vendim të Këshillit të Ministrave, duke ia kaluar gjithë hapësirën hotelit “Fafa”, hotelit “Klajdi” dhe një “plazhi publik” që nuk ekziston më.

Skandali thellohet edhe më tej. Sipas denoncimit, e vetmja hapësirë publike që është lënë për qytetarët ndodhet pranë murit të "Prestige"-it, mbi një kanal të ujërave të zeza, në një zonë të ndotur dhe të papërshtatshme për plazh. Qytetarja thekson se hoteleria ka pushtuar çdo pëllëmbë rëre nga Mali i Robit deri te rrethrrotullimi i Golemit, pa lënë asgjë për komunitetin lokal.

Denoncuesja tregon:

“Kjo pjesa këtu ka qenë vitin e kaluar plazh publik. Këtë vit Fafa ka ardhur dhe e ka zaptuar, ndërsa Klajdi thotë që pjesa tjetër është e tij. Vjet, të paktën kishim një korridor 2 metra ku rrinin pensionistët. Tani edhe atë vend e kanë marrë, u kanë hequr çadrat të moshuarve dhe i kanë përzënë.”

Në një vend ku hapësirat publike po zvogëlohen çdo ditë, ky është një rast flagrant i privatizimit të egër të bregdetit shqiptar, me bekimin e shtetit. Ministria e Turizmit, në vend që të mbrojë të drejtën e qytetarëve për akses në det, duket se po vepron në të kundërt, duke ia dorëzuar gjithçka hoteleve.

S'ka më vend për qytetarët e thjeshtë në plazhet e Shqipërisë? Mos është bërë e vetmja mënyrë për të shijuar detin të vështrosh nga larg, nëse s'të premton xhepi të paguash për një shezllon?

JOQ Albania po e bën këtë çështje publike dhe i bashkohet zërit të banorëve: Hapësirat publike të zaptuara duhet të lirohen menjëherë!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit