Lushnje/ Qendër shëndetësore brenda kompleksit sportiv në Gorre, banorët ngrenë shqetësimin

Shkruar nga: N H | Publikuar më: 03.06.2025, 16:39

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një thirrje denoncim lidhur me një qendër shëndetësore që po ndërtohet në brenda Kompleksit Sportiv të fshatit, Gorre Lushnje. Banorë të shumtë kanë denoncuar ndërtim të aprovuar nga njësia Kolonjë, bashkia Lushnje dhe kryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa.

Vecc banorëve edhe Nertila Gjermeni dhe Pastori Ermal Gjermeni, i Kishës Ungjillore të Nazaretasit në fshatin Gorre, Lushnje denoncojnë ndërtimin e kësaj qendre shëndetësore brenda Kompleksit Sportiv të fshatit, vetëm pak metra larg dy shkollave publike, pa konsultim me komunitetin lokal dhe në kundërshtim me ligjet për territorin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Sipas banorëve por jo vetëm dhe pastorit Gjermeni kompleksi Sportiv në fjalë është ndërtuar dhe mirëmbajtur prej më shumë se një dekade nga Kisha dhe banorët e zonës, dhe përbën të vetmen hapësirë të dedikuar për aktivitete edukative, sportive dhe sociale për fëmijët dhe të rinjtë e pesë fshatrave përreth.

Ndërtimi i kësaj qendre shëndetësore shumë pranë kompleksit sportiv jo vetëm që dëmton infrastrukturën ekzistuese dhe gjelbërimin e krijuar nga vetë nxënësit, por gjithashtu cënon sigurinë shëndetësore dhe sociale të komunitetit.

Ndërtimi është i pajisur me leje nga Bashkia Lushnje (leja nr. 75, datë 16.04.2025), me projektuesin “FTA Studio” dhe zbatuesin “I.C.C Group”, ndërsa mbikëqyret nga “STATENG” dhe sponsorizohet nga “Raiffeisen Invest”.

Banorët theksojnë se ekzistojnë alternativa të tjera për ndërtimin e qendrës, të cilat janë injoruar, ndërkohë që mungesa e transparencës dhe pjesëmarrjes së komunitetit përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të tyre.

Banorët kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të punimeve dhe verifikim të plotë ligjor, mjedisor dhe urbanistik nga institucionet përgjegjëse si Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Mjedisit, IKMT dhe Avokati i Popullit.

Në të njëjtën kohë, apelojnë për solidaritet qytetar dhe ndarje të mesazhit për të mbrojtur të vetmen hapësirë që, siç theksojnë, “lulëzon në Gorre” dhe mban gjallë shpresën për fëmijët që jetojnë atje. Mesazhi i tyre është i qartë: ndërtimi i një strukture shëndetësore nuk duhet të vijë në kurriz të të drejtës së fëmijëve për zhvillim të shëndetshëm dhe jetesë komunitare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit