Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim nga një qytetar lidhur me një situatë shqetësuese në zonën e Kombinatit në Tiranë. Banorët prej ditësh përballen me një rrjedhje të vazhdueshme të ujërave të zeza nga një tub i çarë kanalizimesh.
Në mesazhin e tij denoncues, qytetari tregon se problemi ndodhet në rrugën “Thomaj Koxhaj”, pranë pallatit ku ndodhet "Market David". Sipas tij, gjendja është tejet e rënduar, si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet që parkojnë në bodrumin poshtë pallatit.
Për shkak të rrjedhjeve, kalimi në këtë rrugë është bërë i pamundur dhe banorët detyrohen të ndjekin rrugë të tjera për të shkuar deri te dyqanet përreth. Qytetari i bën thirrje Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më parë, për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.
“Pershendetje Doja te denoncojë nje rast Ketu ne kombinat Anonim ju lutem. Eshte carë tubi i kanalizimeve, dhe kemi frik te kalojmë se na kullon ne koke, siç e shikoni dhe vet gjendja skandaloze, posht eshte Bodrum dhe parkojme makinat dhe posht kullon uji por askush nga bashkia nuk vjen dhe ti hedhi nje sy jo me te ver dore t'a rregulloje Ju lutem bejeni publike se s'kemi ku kalojmë, kalojmë rreth e rrotull, per te vajtur aty te dyqani posht emri rrugës "Thomaj Koxhaj" pallati ku esht "Market David"”, shkruan qytetari për redaksinë e JOQ Albania.