Në kodrat e Bishçukasit në Divjakë është realizuar një nga zbulimet arkeologjike më të rëndësishme të viteve të fundit, që lidhet me periudhën ilire dhe jo vetëm. Deri më tani janë zbuluar mbetje të një bazilike, një kolonë graniti, skelet njerëzor si dhe monedha të hershme, të cilave ende nuk u është përcaktuar me saktësi periudha.
Këto objekte të nxjerra nga nëntoka i përkasin periudhave të ndryshme historike, që variojnë nga ajo helenistike, tek mesjeta dhe antikiteti i vonë. Ky zbulim ka ardhur pas rasteve të përsëritura kur banorët e zonës, gjatë punimeve bujqësore, ndeshnin herë pas here objekte me vlerë historike si monedha apo struktura ndërtimore, të cilat më pas i dorëzonin në Muzeun Historik të Lushnjës. Këto gjetje të rastësishme nxiten interesimin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore për të nisur kërkime më të thelluara në këtë zonë.
Aktualisht, gërmimet arkeologjike janë ndarë në dy sondazhe kryesore. Njëri përfshin mbetjet e një strukture banimi të panjohur dhe tjetri një kolonë graniti që mund të ketë qenë pjesë e një ndërtese me rëndësi. Kjo zonë e njohur si "Kodra e Shën Gjergjit", e vendosur mes Lushnjës dhe Divjakës, po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një vend me potencial të jashtëzakonshëm për zbulime që ndriçojnë periudha të ndryshme të historisë shqiptare.
Punimet po realizohen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Departamentin e Arkeologjisë të Universitetit të Tiranës dhe Muzeun Historik të Lushnjës. Prej disa javësh ekipet përkatëse janë në terren, duke dokumentuar dhe analizuar çdo gjetje me synimin për të zbardhur një pjesë të rëndësishme të së kaluarës së kësaj treve.