Janë zbuluar dy magazina në fshatin Brrar, në Rrugën e Arbrit ku stampoheshin veshje të kontrabanduara me logo false. Për pasojë janë arrestuar 4 persona, 2 janë shpallur në kërkim, ndërsa në gjendje të lirë janë proceduar 4 punonjës. Më konkretisht është arrestuar shtetasi Luan Haka dhe është shpallur në kërkim djali i tij, shtetasi Lindion Haka, bashkadministratorë të njërës prej magazinave. Luan Haka, ka qenë kandidat për kryetar bashkie Dibër në vitin 2022 nën siglën e Partisë Demokratike. të drejtuar asokohe nga Lulzim Basha.

Në pranga kanë rënë edhe shtetasit Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkadministratorë të magazinës tjetër, shtetasi Arjan Hida, qiradhënës i pronave, teksa është shpallur në kërkim shtetasi turk Ozkan Sulun, i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale. Bëhet e ditur se ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të mëdha veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të shtetasit turk, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.