Një nënë e dëshpëruar nga zona e Laprakës ka dërguar një apel prekës për ndihmë në redaksinë e JOQ Albania. Ajo kërkon ndihmë për djalin e saj vetëm 18 muajsh, i cili vuan nga epilepsia dhe një sërë problemesh të tjera shëndetësore, mes tyre edhe me këmbën, që e pengon të qëndrojë në këmbë.
Në një video të dërguar bashkë me apelin, ajo tregon se vogëlushi do t’i nënshtrohet së shpejti edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Përveç ndihmës financiare, ajo kërkon mbështetje me ushqime, pampersa dhe produkte të tjera bazike, duke qenë se jetojnë në kushte tepër të vështira.
Banesa ku jetojnë nuk ka energji elektrike dhe, sipas saj, nuk ka as kushtet minimale për të jetuar. Ajo thotë se përveç problemeve të rënda shëndetësore të djalit, i cili rrezikon të ftohet apo të kafshohet nga minjtë në këtë ambient të papërshtatshëm, i duhet t’i japë ndihmën edhe gjatë krizave të epilepsisë në errësirë totale.
E shkatërruar psikologjikisht, ajo kërkon ndihmë për të siguruar një banesë me qira ose për të hapur një kontratë të re energjie, pasi personi që i kishte mundësuar strehimin ka ndërprerë kontratën dhe jeton jashtë shtetit.
Për çdo ndihmë apo mbështetje, mund të kontaktoni nënën në numrin: 0696685891.
Apeli i saj i plotë:
“Përshëndetje. Unë jam Teuta, një nënë e trishtuar pa fund për djalin tim. Diagnostikimi i tij është epilepsi, ka probleme edhe me këmbën, nuk e puthit dot në tokë. Djali është vetëm 18 muajsh dhe nuk qëndron dot as në këmbë. Jetoj në një ‘shtëpi’ që nuk mund të quhet e tillë. Nuk kam as kushtet më minimale për të jetuar apo për t’i shërbyer djalit të sëmurë. Aty djali rrezikon të ftohet, sepse gjithçka futet brenda, dhe gjithashtu rrezikon të kafshohet nga minjtë. Shtëpia nuk ka drita dhe sa herë djalin e kapin krizat, jam e tmerruar, sepse më duhet t’i jap ndihmën në errësirë. Ju lutem, ju lutem, jam shumë e dëshpëruar. Ju lutem, vendoseni dorën në zemër për djalin tim të vogël që po torturohet i sëmurë në kushte skandaloze. Nuk kam mbështetje nga askush. Bashkëshorti nuk punon, sepse unë nuk mundem e vetme të kujdesem për djalin, pasi jam në depresion dhe gjendja ime psikologjike është shumë e rënduar. Ju lutem, merreni parasysh këtë shkrim timin. Më ndihmoni të jetoj. Ju lutem. 0696685891”