“TKZ” nuk do të jenë në stadium në ndeshjen Shqipëri-Serbi: Miqtë e shkijeve (FSHF) s’po na lejojnë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.06.2025, 22:42

Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Serbinë më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” pa mbështetjen e “Tifozave Kuq e Zi” në stadium.

Grupi më i madh i tifozëve të Kombëtares ka deklaruar në rrjetet sociale se nuk do të jetë i pranishëm për ndeshjen e 7 qershorit kundër Serbisë. Sipas tyre, kjo është hera e dytë në 21 vite që mungojnë, dhe të dyja herët ndaj të njëjtit kundërshtar.

TKZ e krahason situatën me ndeshjen e vitit 2014 në Beograd, kur u ndaluan nga autoritetet serbe. Këtë herë, ata akuzojnë Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) se po i përjashton qëllimisht.

Sipas TKZ-së, sistemi i ri i shpërndarjes së biletave, i cili bazohet në një “short” të dyshuar, favorizon agjencitë turistike dhe tregun e zi, ku çmimet e biletave arrijnë deri në 1000 euro. Ata e quajnë këtë proces një skemë të padrejtë që pengon tifozët besnikë dhe i zëvendëson me klientelë, politikanë dhe të pasur.

“Futbolli tashmë është për elitën. Një familje shqiptare mesatare nuk mund të përballojë 600 euro për një ndeshje,” thuhet në deklaratën e tyre. TKZ kritikon FSHF-në për hipokrizi, duke thënë se pretendimet për gjithëpërfshirje fshehin një politikë përjashtuese ndaj atyre që kanë mbështetur Kombëtaren për dekada.

REAGIMI I PLOTË I TKZ:

TIFOZAT KUQ E ZI NUK DO TË JENË NË STADIUM!

Për herë të parë që nga themelimi, tash e 21 vite, nuk do të jemi në stadium për të përkrahur Kombëtaren tonë. Në fakt, kjo është hera e dytë. Herën e parë më 14.10.2014, nuk na lanë shkijet. Tash më 07.06.2025, nuk po na lejojnë miqtë e shkijeve (FSHF), dhe atë në shtëpinë tonë.

Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ku anëtarët tanë u organizuan për të siguruar bileta në sektorin tonë tradicional, këtë herë nuk morëm pjesë në farsën e organizuar me pretekstin e një “shorti” të rremë. Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm.

Absurdi i kësaj ndeshjeje qëndron te hipokrizia e vazhdueshme e FSHF-së, e cila predikon gjithpërfshirje, por në realitet përjashton tifozët e vërtetë, ata që e kanë ndjekur Kombëtaren për më shumë se 21 vite. Futbolli është kthyer nga një aktivitet popullor në një event ekskluziv për të pasurit, ku çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 1000 euro.

Është e paimagjinueshme që një familje shqiptare mesatare, një prind me bashkëshorten dhe dy fëmijë, të duhet të paguajë rreth 600 euro për të ndjekur një ndeshje, aq sa kushton një javë pushime në qershor. Kjo është politika përjashtuese e Federatës Shqiptare të Futbollit: nëse nuk je i pasur, nuk ke vend në stadium.

Por jo të gjithë jemi milionerë si Presidenti i FSHF-së dhe rrethi i tij. Gjithpërfshirja i ka të gjithë brenda përveç se TKZ-në. Aty janë agjencitë e udhëtimit dhe politikanët, por vetëm BESNIKËT e përjetshëm JO. Diçka e tillë nuk është parë kurrë. Le të fitojë njëherë Kombëtarja.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit